Moratti : Mancini , tekniku ideal !

''Adrianon nuk ia shes Milanos , Figo dhe Vieira do te rinovojn kontratat '' !!

Presidenti i Interit, Masimo Morati , përpiqet të motivojë Interin në momentin më të nxehtë të sezonit. Në radhë të parë, Interi do luajë kundër Rexhinës e më pas ndaj Liverpulit. Dy ndeshje brenda pak ditëve, të cilat mund të jenë tepër vendimtare për të ardhmen e Interit si në kampionat, ashtu edhe në Evropë.

Morati, dhurata më e bukur që mund t’iu bëjë Interi, besoj se është mposhtja e Liverpulit?


''Sigurisht që po. Madje, mund t’iu them që kam një besim të madh te lojtarë si Burdiso, Rivas, dhe Chivu, por edhe nëse Mancini do zgjidhte lojtarë të tjerë, jam i sigurt që ndaj Liverpulit, ai do bëjë zgjedhjet e duhura. Megjithëse do na duhet edhe pak fat, i cili na mungoi gjatë ndeshjes së parë, sepse të luash me 10-lojtarë ndaj Liverpulit ishte gjëja më e keqe që mund të na ndodhte.

Në kampionat situata ju duket e qetë, apo disi më e vështirë?

''Besoj se 6 pikë diferencë nuk janë shumë. Roma luan mirë, prandaj duhet t’ia kemi frikën. Gjithsesi ndihem tepër i qetë. Kundër Napolit patëm fatkeqësinë që u përballëm me Napolin më të mirë të këtij sezoni. Por megjithatë, gjatë këtyre 12 javëve kampionat duhet të tregohemi perfektë.

Totti ka thënë që Interi ndihmohet nga arbritrat. Ju bezdis kjo deklaratë?


''Kam një simpati të madhe për Tottin, si rrjedhojë nuk arrij të mërzitem dot me të. Për mendimin tim, polemikat janë kripa e futbollit. Por duke iu kthyer konceptit të Tottit, nuk kam evidentuar ndonjë ndihmesë apo ndonjë favor që mund të ketë marrë Interi nga arbitrat.''

Si mund të dalë Interi nga raporti jo shumë i mirë ndërmjet trajnerit Mancini dhe doktor Kombit, i cili është kryemjeku Interit?

''Mund t’iu them që të dy këto figura po zhvillojnë një punë të mirë tek Interi. Pas kësaj, le të fitoj më i miri, më duket e turpshme dhe e vështirë të ndërhysh në këto lloj temash. Mancini ka një karakter të ndryshëm dhe tepër të fortë, por nëse arrin të tregohet disi më i përmbajtur, besoj se do të përjetojë tek Interi një periudhë të tipit “alla Herrera”.

Përsa i përket merkatos së ardhshme, duhet të gjeni një zëvendës për Figon, dhe ndoshta edhe për Adrianon apo Vieiran?


''Nuk është e thënë që Figo do lërë futbollin. Unë do t’i propozoj të luajë edhe për një vit tjetër, sepse më ka bërë shumë përshtypje dëshira e tij e madhe për të luajtur. Ndërsa mbi Vieiran mund t’iu them që gjatë këtij sezoni është persekutuar nga dëmtimet, si rrjedhojë e ardhmja e tij do vazhdojë të jetë me ne. Përsa i përket Adrianos, është e sigurt që do qëndrojë me ne, por ta kuptojë se, po luan shansin e fundit, të cilin nuk duhet ta humbasë.