Javier Zanetti : '' Dominojm plot 2 viet '' !!!

Javier Zanetti është një prej lojtarëve më të aktivizuar nga Roberto Mançini në këtë sezon. Kapiteni i Interit ka qenë ndër futbollistët më konstantë me fanellën zikaltër dhe të mërkurën përballë verdhekuqve të Romës ka shënuar golin që mund t’i japë fund garës për titull shumë javë para fundit të Serisë A. Zaneti, goli kundër Romës ishte më i rëndësishmi në karrierë?

“Për mua goli më i rëndësishëm është ai i finales së Kupës UEFA kundër Lacios në Paris. Megjithatë, më duhet ta pranoj se ndaj Romës kam shënuar një gol mjaft vendimtar. Kam ndjerë një emocion të jashtëzakonshëm, kur shënova kundër verdhekuqve”.

Të gjithë mendojnë se mund të jetë goli që cakton titullin.

“Nuk mendoj se mund të thuhet një gjë e tillë që në këtë moment. Është e pamohueshme se të kesh 9 pikë diferencë dhe të kesh takimet direkte në favorin tënd janë një avantazh i rëndësishëm, por Roma ka treguar se është një nga kundërshtarët më të vështirë në gara të këtilla. Duhet ende shumë për ta thënë këtë”.

Toti dhe Roma kanë protestuar në lidhje me kartonin e kuq të marrë nga Mekses.


“Nuk dua të bëj polemika me Françeskon, sepse ështe një lojtar i madh”.


Spaleti e ka quajtur “mashtrues” Crespon.

“Hernan ka pësuar një faull dhe nuk është simulim. Ata që e njohin, e dinë se ai nuk bën simulime të tilla”.

Në javët e fundit edhe Roma ka filluar të flasë për ndihmat e arbitrave në favor të Interit.

“Kjo është një nga gjërat që ka filluar të më bezdisë më tepër''.
''Mendoj se më parë mund të kishin kuptim të tilla diskutime, por tani të gjithë e dinë se një sistem që manipulonte gjithçka nuk ekziston më. Prandaj, nuk më pëlqen fare ideja që nëpër media e bëjnë të duket sikur Interi ndodhet në vend të parë falë ndihmës së arbitrave. Pra, dua të them që të mos e prekin më këtë temë, pasi Interi është një skuadër që po dominon bindshëm prej dy vjetësh në kampionatin italian përballë çdo kundërshtari. Nëse vërtet mendojnë se na mbrojnë arbitrat, atëherë duhet të numërojnë më parë kartonët e kuq që kemi marrë”.

Interi dominon në Itali, por në Evropë nuk bind. Kundër Liverpulit do të duhet një fitore heroike.

“Nuk dua të deklaroj asgjë të veçantë, por mund të them se pas atij takimi ne do të dalim pa asnjë energji nga fusha. Unë kam mjaft besim te kjo skuadër, sidomos duke parë se në ndeshjet e fundit shumë nga lojtarët më të rëndësishëm janë përmirësuar dukshëm”.

E keni fjalën për Vieiran e Figon?

“Pikërisht. Kanë përvojën e karizmin e duhur për të fituar. Ata dinë si fitohet në Champions dhe jam i bindur se këtë do e tregojnë edhe në takimin kundër Liverpulit, për arsye se pas Italisë, duam të jemi të mëdhenj edhe në Evropë”.